Itali, inagurohet shkolla e parë në gjuhën shqipe, 40 fëmijë tashmë të regjistruar

24.12.2024

Shoqata “Krenaria Shqiptare ODV” ka arritur një moment historik me inaugurimin e shkollës së parë në gjuhën shqipe, e cila tashmë është realitet në komunën Azzano Decimo, Itali.

Itali, inagurohet shkolla e parë në gjuhën shqipe, 40 fëmijë tashmë të regjistruar

Projekti ka tërhequr 40 fëmijë të regjistruar që në vitin e parë, ndërsa dyer të tjera mbeten të hapura për të mirëpritur të vonuarit.

Në ceremoninë e hapjes, eurodeputeti Alessandro Ciriani shprehu mbështetjen për këtë iniciativë:
“Projekte si këto janë fantastike dhe kanë nevojë për mbështetje jo vetëm nga Bashkia, por edhe nga Europa. Do të përpiqem të sjell fonde në shtëpi për projekte të rëndësishme si ky,” u shpreh Ciriani.

Kryetari i shoqatës “Krenaria Shqiptare ODV,” Ndriçim Kercuku, theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke falënderuar mësuesit dhe komunitetin:
“Këto iniciativa japin shpresë se Shqipëria do të vazhdojë t’i rezistojë sfidave të shumta me të cilat përballet. Faleminderit të gjithë mësuesve që mbajnë gjallë frymën e pasionit për këtë mision. Për këtë vit kemi dy mësues që bashkëpunojnë, por të tjerë do të vijnë.”

Shoqata “Krenaria Shqiptare” e nisi këtë projekt me synimin për të mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqiptare për brezat e rinj që jetojnë jashtë atdheut. Në Itali jetojnë mbi 600 persona me origjinë shqiptare në këtë komunë, nga të cilët 270 kanë tashmë pasaporta italiane.

Për fëmijët shqiptarë, shkolla e re jo vetëm që ofron mundësinë për të mësuar gjuhën amtare, por edhe për të ruajtur një lidhje të fortë me historinë dhe traditat e tyre. “Kur shkojmë me pushime në vendet tona të origjinës, duam që fëmijët të mos habiten para kushërinjve, të afërmve dhe pleqve, duke u kërkuar prindërve të tyre të veprojnë si përkthyes,” tha Kercuku.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në prani të personaliteteve të shumta lokale, përfshirë kryebashkiakun Massimo Piccini, këshilltarin për politikat integruese Ervin Ramaliu, nënkryetarin e bashkisë Giacomo Spagnol dhe këshilltaren Sandra Sist. Ata e vlerësuan këtë hap si një model të shkëlqyer për integrimin e komunitetit shqiptar në Itali.

Suksesi i shkollës është rezultat i përkushtimit të drejtuesve të shoqatës, përfshirë Ndriçim Kercukun, Florian Fushën, Petrit Mullajn, Elvana Fortuzin, Ervin Kercukun, Nesret Tartanin, Gerta Ramaliun dhe Ermal Herrin. Me punë të përbashkët dhe mbështetje të fortë, ata ndërtuan një platformë që u ofron fëmijëve një arsye më shumë për të qenë krenarë për origjinën e tyre.

Etiketat

Ofertat e fundit