Itali, arrestohet 31 vjeçari shqiptar në kërkim ndërkombëtar për një sërë krimesh

01.12.2024

Një shtetas shqiptar 31-vjeçar është arrestuar në Itali pas një operacioni të përbashkët të policisë italiane dhe zvicerane. I arrestuari ishte në kërkim ndërkombëtar për një sërë krimesh të kryera në Itali në vitin 2015.

Sipas një njoftimi të prokurorisë së përgjithshme të Perugias, shtetasi shqiptar është arrestuar në orët e para të pasdites së djeshme në pikën kufitare të Ponte Chiasso. Është ekzekutuar një urdhër arresti ndërkombëtar për bashkëpunim në vjedhje të rëndë, rezistencë ndaj një zyrtari publik, dëmtim dhe plagosje të rëndë personale.

Hetimet kanë zbuluar se në shkurt të vitit 2015, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, shqiptari ka hyrë në një shtëpi në Terni, duke vjedhur bizhuteri dhe dy automjete.

Më pas, në tetor të të njëjtit vit, në zonën e Milanos, i njëjti person, duke drejtuar një automjet të vjedhur, është përplasur qëllimisht me një makinë policore, duke lënduar oficerët.

Pas këtyre ngjarjeve, shtetasi shqiptar është arratisur dhe është fshehur për disa vite. Ai është arrestuar së fundmi në Zvicër dhe pas një qëndrimi prej një viti në burgun e Burgdorfit, është ekstraduar në Itali.