Itali, arrestohen 11 shqiptarë për trafik droge dhe vjedhje energjie, 7 të tjerë në kërkim ndërkombëtar

17.07.2025

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në veri të Italisë, ku autoritetet kanë arrestuar 11 shtetas shqiptarë të dyshuar për përfshirje në aktivitete të organizuara kriminale që përfshijnë prodhimin, kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, si dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Operacioni, i udhëhequr nga Komanda e Karabinierëve të qytetit Bra, në bashkëpunim me forcat nga Cuneo, njësitë me qen nuhatës dhe helikopterët e Volpianos, u zhvillua pas një hetimi disa mujor të koduar me emrin “Djali”. Hetimet kishin nisur në tetor të vitit të kaluar dhe përfunduan me ekzekutimin e një urdhri paraprak arresti nga Gjykata e Astit.

Përveç të arrestuarve, autoritetet italiane kanë lëshuar fletë-arreste ndërkombëtare për edhe shtatë shtetas shqiptarë të tjerë, të cilët kërkohen në mënyrë aktive përmes kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë.

Sipas hetimeve, bëhet fjalë për tre grupe të organizuara kriminale me bazë në Itali:

  • Dy prej tyre ishin të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në qytetin Bra dhe rrethina, përmes një skeme të sofistikuar të quajtur “djali” – e cila përfshinte rekrutimin e të rinjve shqiptarë të moshave 20-25 vjeç. Këta të rinj silleshin në Itali me viza turistike 90-ditore dhe angazhoheshin si shpërndarës droge me pagesë mujore prej rreth 3000 eurosh, ushqim dhe strehim të mbuluar. Pas skadimit të vizës, ata riatdhesoheshin dhe zëvendësoheshin nga të tjerë, në një model rotacioni të mirëstrukturuar që u siguronte imunitet nga ndjekja penale.
  • Grupi i tretë ishte i specializuar në kultivimin e brendshëm të llojit Cannabis Sativa, me plantacione aktive në disa lokacione në Italinë veriore. Gjatë hetimeve, u zbuluan dhe sekuestruan mbi një ton drogë – përfshirë marijuanë të paketuar dhe bimë të freskëta – me një vlerë totale prej rreth 1.5 milionë eurosh në tregun me pakicë.

Sipas hetuesve, këto grupe kishin ngritur një model funksionimi të ngjashëm me bizneset legale, me struktura të organizuara, rekrutim të kontrolluar dhe teknologji të avancuar për kultivimin dhe përpunimin e drogës. Anëtarët e këtyre grupeve përshkruhen si “profesionistë të vërtetë të kultivimit të narkotikëve”, të cilët shpesh bashkëpunonin edhe me banda të tjera për ndarjen e përvojave dhe teknikave të rritjes së bimëve.

Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve u gjetën edhe 800 gramë kokainë dhe 15,000 euro para të gatshme, që dyshohet të jenë përfituar nga aktivitetet kriminale.

Operacioni “Djali” përbën një goditje të rëndësishme ndaj grupeve shqiptare të përfshira në narkotrafik në Itali dhe autoritetet paralajmërojnë se hetimet do të vazhdojnë, për të zbuluar lidhje të tjera dhe për të kapur të kërkuarit ende në arrati.