Arrestohen dy shqiptarë në Itali, kapen në flagrancë me 41 doza kokaine
Autoritetet italiane kanë kryer arrestime të rëndësishme në dy raste të ndara, duke goditur rrjetet e trafikut të narkotikëve.
Foto: Ilustrim
Të dy personat janë shtetas shqiptarë, të cilët u kapën në flagrancë me doza kokaine.
Rasti i parë – Nuvolera, Brescia
Një shtetas shqiptar 40-vjeçar, banues në Bedizzole dhe pa precedentë penalë, u arrestua nga Policia Italiane në kuadër të një operacioni për luftimin e trafikut të drogës. Arrestimi ndodhi pranë një parkingu në Via Ceselle, Nuvolera.
Sipas raportimeve, ai u kap në flagrancë duke i dorëzuar një klienti dy pako me kokainë. Kontrolli i mëvonshëm zbuloi një qese celofani që përmbante 14 pako të tjera kokaine, të paketuar dhe gati për shitje, si dhe disa qindra euro në kartëmonedha të vogla, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Klienti, një banor i Brescias në Mazzano, i njohur më parë për policinë, deklaroi se kishte qenë klient i rregullt i 40-vjeçarit për rreth një vit e gjysmë. Ai u raportua për posedim të paligjshëm të narkotikëve.
Komisioneri i Policisë Provinciale të Brescias, Paolo Sartori, urdhëroi revokimin e lejes së qëndrimit të shqiptarit, duke hapur rrugën për deportimin e tij nga Italia.
Rasti i dytë – Peruxhia
Një tjetër shqiptar, 25-vjeçar dhe i njohur për forcat e rendit, u arrestua nga karabinierët në lagjen San Marco të Peruxhias për posedim me qëllim shitjen e narkotikëve dhe rezistencë ndaj arrestimit.
Gjatë një patrullimi, oficerët i urdhëruan të ndalonte, por ai përshpejtoi dhe drejtoi në drejtim të gabuar në disa rrugë, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Ai u ndoq për rreth një kilometër, derisa u ndalua.
Gjatë ndjekjes, ai hodhi disa kontejnerë që më pas u kontrolluan dhe brenda tyre u gjetën 27 doza kokaine, me një peshë totale prej rreth 17 gramësh. Në makinë dhe tek vetë i arrestuari u gjetën dy pako të tjera me kokainë, me peshë totale prej 1.2 gramësh, si dhe 1,040 euro në para të gatshme, që dyshohet se janë të ardhura nga trafiku i drogës.
Pas arrestimit, ai u transferua në burgun e Capanne me urdhër të Prokurorisë Publike të Perugias.