Arrestohen 17 shqiptarë në Itali, sekuestrohen mbi 2.6 ton lëndë narkotike
Një operacion i gjerë i Policisë Financiare Provinciale të Leçes ka çuar në zbulimin dhe goditjen e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikimit të drogës në Itali, me degë e bashkëpunime të fuqishme edhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë dhe Spanjën. Hetimi, i koduar me emrin “Gioele”, ka përfunduar me njoftime zyrtare kundër 29 personave, mes tyre 17 shqiptarë.
Operacioni u koordinua nga Drejtoria Antimafia e Qarkut të Leçes, e cila vendosi të vepronte menjëherë me njoftime paraprake, pa pritur vendime gjyqësore për masa sigurie. Hetimet kanë nisur që para pandemisë dhe u zhvilluan me intensitet të lartë gjatë viteve 2018–2020, raporton urgjent.com.
Gjatë kësaj periudhe, autoritetet italiane arritën të identifikonin një organizatë kriminale të konsoliduar, e cila kishte bazën operative në zonën e Leçes, por aktivitetet e saj shtriheshin në shumë provinca italiane. Në qendër të këtij rrjeti ishin kontaktet e fuqishme me jashtë, kryesisht me Shqipërinë dhe Spanjën, të cilat shërbenin si burime kryesore të furnizimit me drogë.
Sipas hetuesve, bëhej fjalë për “lumenj të tërë droge” që ishin gati të përmbytnin tregjet italiane.
Lista e të akuzuarve është e gjatë dhe përfshin emra italianë, shqiptarë dhe një shtetas spanjoll. Në mesin e tyre janë:
Xhuljano Ajazay (28 vjeç, shqiptar), Julian Beqiraj (45 vjeç, shqiptar), Alfred Feta (56 vjeç, shqiptar), Jeta Feta (51 vjeçe, shqiptare), Erion Kaloshi (44 vjeç, shqiptar), Arjan Komini (44 vjeç, shqiptar), Lulezim Kule (49 vjeç, shqiptar, i njohur si “Luli” ose “Jimmy”), Eltion Majkaj (37 vjeç, shqiptar), Lusjan Mbole (30 vjeç, shqiptar), Xhjusild Osmenaj (34 vjeç, shqiptar), Nelm Sacaj (28 vjeç, shqiptar), Shkelqim Sinani (48 vjeç, shqiptar), Endri Xhumbaraj (33 vjeç, shqiptar), Ervis Xhumbaraj (47 vjeç, shqiptar), Sheptim Xhepa (43 vjeç, shqiptar), Anila Zeqe (51 vjeçe, shqiptare) dhe Kujtim Zeqe (53 vjeç, shqiptar).
Pjesa tjetër e listës përfshin shtetas italianë si Stefano Brocca, Luigi Buttazzo, Mauro Centonze, Cristian De Giorgi, Francesco Prato, Marco Scalise, Alessandro Marchello, si dhe spanjollin Joan Herrera Sotorres nga Barcelona.
Disa prej tyre tashmë mbrohen nga avokatë të njohur në Lecce, ndërsa të tjerë do të përballen individualisht me akuzat.
Hetimi ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të 30 personave gjatë dy viteve, si dhe sekuestrimin e 2,677 kilogramëve drogë të llojeve të ndryshme (kokainë, heroinë, hashash dhe marihuanë). Përveç kësaj, janë konfiskuar 4,975 litra vaj hashashi.
Në aspektin financiar, janë sekuestruar gjithashtu 192,640 euro para të gatshme, 16 automjete dhe 4 anije, të përdorura për transport dhe shpërndarje. Hetuesit llogarisin se droga e kapur do të kishte sjellë një përfitim prej të paktën 6 milionë eurosh për organizatat kriminale.
Dy figurat kryesore të hetimit janë shqiptari Lulezim Kule dhe italiani Carlo Serio, rezident në Ibiza.
Kule dyshohet se kishte rol drejtues, duke mbajtur kontaktet mes Shqipërisë dhe Spanjës, dhe duke koordinuar logjistikën për transportin e drogës.
Serio, me përvojë të gjatë në këtë sektor ilegal, kishte krijuar lidhje të forta në tregjet evropiane dhe shërbente si nyja e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ata bashkëpunonin ngushtë me Francesco Prato, Laura Borioni, si dhe me të tjerë që ndihmonin në përpunimin dhe shpërndarjen e drogës. Një rol të veçantë kishte edhe Matteo Fracarolli, i cili kishte përdorur njohuritë e tij në kultivimin e bimëve për të ngritur laboratorë të fshehtë të kanabisit.
Një tjetër bërthamë e fuqishme e organizatës ishte grupi shqiptar i drejtuar nga Alfred Feta, Arjan Komini, Shkelqim Sinani dhe Kujtim Zeqe, të cilët bashkëpunonin ngushtë me italianin Luigi Buttazzo. Ky grup dyshohet se kontrollonte rrugët e transportit të marihuanës dhe kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë, me magazinim të përkohshëm në provincën e Leçes dhe shpërndarje në tregjet e tjera italiane.
Buttazzo, një emër i njohur lokal, kishte rol kyç në sigurimin e logjistikës në pikat e zbarkimit, si dhe në transportin e drogës në depo të fshehta në Torre Chianca.
Hetimi i udhëhequr nga prokurorja Giovanna Cannarile ka zbuluar një rrjet tepër të sofistikuar, që mbulonte njëkohësisht Shqipërinë, Spanjën dhe Italinë. Edhe pse disa persona akuzohen për pjesëmarrje në komplot kriminal, të tjerë janë përfshirë vetëm në raste të veçuara të trafikimit.
Autoritetet italiane e cilësojnë këtë operacion si një nga më të mëdhenjtë e viteve të fundit, duke theksuar se është parandaluar një fluks i madh narkotikësh që do të kishte ndikuar ndjeshëm në tregun italian dhe europian.