Topalli i FC Ballkanit: Për titullin kampion i frikësohemi vetëm vetes!

24.02.2020

Jetmir Topalli mendon që Ballkani duhet t’i druhet vetëm vetes në luftën për titullin kampion. Sulmuesi që ka shpërthyer te portokallezinjtë, ka deklaruar në emisionin “2 me 1” se skuadra duhet të mbajë formën optimale në çdo ndeshje. “I druhemi vetëm vetes, duke e pasur parasysh që shpesh herë po na ndodh që të dalim […]

Topalli i FC Ballkanit: Për titullin kampion i frikësohemi vetëm vetes! Foto: Ilustrim

Jetmir Topalli mendon që Ballkani duhet t’i druhet vetëm vetes në luftën për titullin kampion.

Sulmuesi që ka shpërthyer te portokallezinjtë, ka deklaruar në emisionin “2 me 1” se skuadra duhet të mbajë formën optimale në çdo ndeshje.

“I druhemi vetëm vetes, duke e pasur parasysh që shpesh herë po na ndodh që të dalim jashtë lojës sonë”, deklaroi Topalli.

“Ne duhet ta ruajmë kontunitetin deri në fund të kampionatit dhe të komponohemi edhe më shumë”.

“Ndaj Ferizajt ishte mjaft e vështirë. Ata patën raste për të barazuar rezultatin, deri në momentin kur Liridon Fetahaj i nxori dy penallti. Me ekipet e poshtme të tabelës, duhet të keni gjithmonë durim”, shtoi ai.

I ftuar në emision ishte edhe futbollisti i Gjilanit, Erlis Frashëri.

Sipas tij, trepikëshi ndaj Flamurtarit e ka stabilizuar Gjilanin dhe skuadra pret t’i afrohet Ballkanit me kalimin e xhirove.

Sipas Frashërit, Gjilani do të konkurrojë për titull me Ballkanin dhe Prishtinën.

“Ballkani deri më tani po shkon shumë mirë ndërsa edhe Prishtina është futur fuqishëm në garë. Unë i shoh vetëm këto ekipe konkurrente”, deklaroi Frashëri, përcjellë GazetaOlle.

“Në xhirot e ardhshme, tri ekipet e para kanë takime mes vete dhe ne do të tentojmë t’iu afrohemi”.

“Fitorja ndaj Flamurtarit na ka stabilizuar. Portieri i Flamurtarit gaboi, por gabimet ndodhin. Edhe ne në derbi bëmë lojën, rastet, shtyllat por Drita na ndëshkoi pas gabimeve tona. I kemi të gjitha për të mos u ndalur më”, u shpreh ai.

I pyetur për dallimin mes Superligës kosovare dhe Superiores në Shqipëri, Frashëri tha se kualiteti tani është i përafërt.

Sipas tij, futbolli kosovar ka avancuar shumë vit pas viti.

“Futbolli këtu në Kosovë po avancon shumë vit pas viti. Tani ka pak dallime në krahasim me futbollin në Shqipëri”.

“Klubet këtu po investojnë, shumë futbollistë cilësor kanë ardhur dhe është ngritur kualiteti”, shtoi Frashëri.

Gjilani në fundjavë mundi Flamurtarin, 2:0.