Çfarë na thotë historiani legjendar, për përbuzjen ndaj klasës së sotme punëtore
Nga: Kenan Malik / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur je adoleshent, rrallëherë ndodhë të pushtohesh nga një libër me 900 faqe (pos në rastet kur Hari Poteri është në titull). Aq më pak kur është një libër i dendur i historisë, që në detaje të sakta i tregon historitë e endësve dhe të punëtorëve të qymyrit, të këpucarëve dhe ndërtuesve të anijeve të shekullit XVIII.
Megjithatë, edhe tash mund ta shoh veten kur për herë të parë, në një librari, u ndesha me veprën e EP Thompsonit, Krijimi i klasës punëtore angleze [The Making of the English Working Class]. Nuk e kisha asnjë ide për rëndësinë e tij kulturore apo për vendin e tij në debatet e historiografisë. Nuk e dija çfarë do të thotë “historiografi”, madje as që ekzistonte diçka e tillë. Por, ende mund ta ndiej emocionin kur librin e hapa dhe e lexova paragrafin e parë: “Klasa punëtore nuk u ngrit si dielli në një kohë të caktuar. Ishte e pranishme në krijimin e vet”. Nuk e dija se si është e mundur të shkruash për historinë në atë mënyrë.
E kam ende atë botimin e vjetër të dëmtuar të [shtëpisë botuese] Pelican-it, me nënvizimet me laps, me grafikën e George Walkerit të një minatori të Jorkshirit në kopertinë; një libër tek i cili vazhdoj të zhytem, thjesht për kënaqësinë e prozës së Thompsonit dhe sepse çdo lexim ofron një pasqyrë të re.
Nëse Thompsoni do të ishte ende gjallë, të shtunën do t’i kishte mbushur 100 vjet. Rasti u shënua me një konferencë të vogël në Halifaks, në qytetin ku Thompsoni jetoi për shumë vjet – teksa jepte mësim në Lids dhe shkruante librin e vet. Por, përtej kësaj ka pasur pak bujë.
Edhe sot i ribotuar – më shumë se 60 vjet pasi u botua për herë të parë – Krijimi i klasës punëtore angleze ka fituar statusin pothuajse mitik. Megjithatë, vetë Thompsoni u zbeh nga horizonti ynë kulturor. Para një dekade, historiani Robert Colls vuri në dukje se kur në vitin 2013 [moderatori] Jeremy Paxman pyet – në gjysmëfinalen e [kuizit televiziv] Sfida e Universiteteve [University Challenge] – se “kush e shkroi Krijimin e klasës punëtore angleze?”, këtë “askush nuk e dinte”.
Vepra më me ndikim e Thompsonit u shkrua në valën e lartë të ndikimit të klasës punëtore në politikën britanike. Sot, klasa e vjetër punëtore industriale, për krijimin e së cilës shkroi Thompsoni, është kryesisht e pabërë, politikisht e margjinalizuar dhe e zhveshur nga fuqia shoqërore. Pakkush e konsideron klasën si koncept pjellor në mendimin historik, edhe më pak si bazë për politikën progresive. Megjithatë, argumentet e tij i bëjnë gjithashtu domethënëse vetë ndryshimet që kanë çuar në neglizhencën e tashme të Thompsonit.
Në zemër të librit të Thompsoni është një riparamendim i klasës dhe vetëdijes klasore. Klasa, shkruante ai, ishte “jo një send” apo një “strukturë”, por një “dukuri historike” përmes së cilës të shpronësuarit, “si rezultat i përvojave të përgjithshme (të trashëguara apo të përbashkëta), ndjejnë dhe artikulojnë identitetin e interesave të tyre si mes vete ashtu edhe kundrejt njerëzve të tjerë interesat e të cilëve janë më ndryshe (dhe zakonisht të kundërta) prej tyre”.
Thompsoni argumentonte kundër pikëpamjes konservatore të marrëdhënieve klasore që përshkruhen si “bashkëjetesë harmonike e grupeve që kryejnë ‘role të ndryshme shoqërore’” dhe kundër një forme të determinizmit ekonomik që paramendon – siç e tha ai më vonë në një intervistë – se “një lloj i papërpunuar materiali, si fshatarët që ‘dynden në fabrika’”, mund të “përpunohet në kaq shumë tabore të proletarëve të ndërgjegjshëm për klasën”. Për Thompsonin, klasa punëtore “e bëri veten për aq sa ishte e bërë”. Kjo ide e lirisë së veprimit, e njerëzve – edhe në rrethanat më të pafavorshme – që zotëronin aftësitë për të ndikuar në botë, ishte qendrore në veprën e tij kryesore jetësore.
Thompsoni ishte marksist, anëtar i Partisë Komuniste nga e cila u largua me neveri më 1956 – pas shtypjes sovjetike të revolucionit hungarez – dhe ndihmoi në themelimin e të Majtës së Re. Megjithatë, marksizmi i tij u mbrujt nga dy tradita të tjera, ajo e protestantizmit radikal, nga [lëvizjet fshatare] Niveluesit [Levellers] dhe Gërmuesit [Diggers] e shekullit XVII, e deri te disidentët e mëvonshëm, nga kuakerët dhe baptistët [lëvizje të krishtera], si dhe nga romantizmi i artikuluar më së miri nga William Blake – nga subjekti i librit të fundit të Thompsonit, që u botua pas vdekjes së tij. Ky marksizëm kundërshtues, romantik, është ngulitur thellë në studimin historik të Thompsonit, në debatet e tij të polemikave dhe në aktivitetin e tij politik.
Rreshti më i famshëm nga Krijimi i klasës punëtore angleze është pohimi i Thompsonit “për të shpëtuar tjerrësin e varfër, prerësin ludit [që kundërshtonte teknologjinë], endësin e ‘vjetruar’ të tezgjahut, artizanin “utopik”” nga “mospërfillja e madhe e pasardhësve”. Ajo që ai donte të thoshte ishte se nga këndvështrimi ynë, lëvizjet si ajo ludite – e punëtorëve të tekstilit të cilët në fillim të shekullit XIX kundërshtuan futjen e makinerive të reja dhe i shkatërruan ato – mund të duken të prapambetura dhe të paarsyeshme, si kundërshtim i pakuptimtë ndaj inovacionit teknologjik. Megjithatë, lufta e tyre, në sytë e Thompsonit, nuk ishte “opozitë e verbër ndaj makinerisë”, por më tepër ishte një luftë kundër “lirisë” së kapitalistit për të shkatërruar zakonet e tregtisë, qoftë nga makineritë e reja, nga sistemi i fabrikës apo nga … ulja e madhe e pagave.
Ndoshta të gjitha këto tema sot janë edhe më të rëndësishme sesa në kohën kur Thompsoni e shkroi librin e vet. Kuptimi i tij i klasës jo si një gjë, por si një marrëdhënie, dhe jo si e dhënë, por e krijuar nga lufta, është po aq kuptimplotë për këtë epokë post-industriale sa ishte edhe në analizën për ardhjen e industrializimit.
Ndjeshmëria e Thompsonit për ata që detyrohen të luftojnë në një terren jomikpritës shoqëror, ofron mësime edhe për ne sot. Sot çështja është te përbuzja e madhe jo nga ana e pasardhësve, por nga të tashmit: përbuzja për njerëzit e klasës punëtore, armiqësia për të përfituar nga “ndihma”, tallja ndaj atyre që detyrohen të përdorin bankat ushqimore [ushqimi falas për nevojtarët], indiferenca ndaj padrejtësisë. Është e dukshme edhe në përbuzjen e fanatizmit dhe konservatorizmit të supozuar të klasës punëtore ose në përçmimin e atyre që votuan rrugën e gabuar ose që janë zhgënjyer nga e majta. Këmbëngulja e Thompsonit se “aspiratat e tyre ishin të vlefshme për sa i përket përvojave të tyre” është po aq e nevojshme për t’u pranuar tani sa edhe atëherë.
Ka, siç kanë theksuar kritikët, vrima në narrativën e Thompsonit. Gratë kryesisht mungojnë te Krijimi i klasës punëtore angleze, siç ndodhë më gjerë në botë, veçanërisht ndikimi i skllavërisë dhe kolonializmit në ndërgjegjen e klasës, gjë që është e çuditshme kur merret parasysh ndikimi i radikalëve të klasës punëtore në lëvizjen abolicioniste [eliminimin e skllavërisë]. Ka raste, gjithashtu, kur romantizmi i Thompsonit në mënyrë të pakëndshme i afrohet dëshpërimit për modernitetin.
Megjithatë, përkundër kritikave, Krijimi i klasës punëtore angleze nuk është veçse një vepër madhështore e gërmimeve historike, por edhe nderim i vlefshëm për shpirtin njerëzor, për aftësitë e njerëzve për të kapërcyer rrethanat dhe kolektivisht për ta përfytyruar një botë më të mirë. “Arti i së mundshmes”, siç shkroi Thompsoni, “mund të frenohet nga përfshirja e gjithë universit vetëm nëse e pamundura mund të gjejë mënyrat për t’u kthyer përsëri në politikë – përsëri dhe përsëri”. /Telegrafi/