SHBA po shqyrton mundësinë për ndalimin e dërgesave të armëve në Izrael

28.01.2024

Sipas burimeve nga tre zyrtarë amerikanë, SHBA po shqyrton mundësinë e ngadalësimit ose ndalimit të dërgesave të armëve në Izrael.

SHBA po shqyrton mundësinë për ndalimin e dërgesave të armëve në Izrael Foto: Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Reuters

Ky veprim i amerikanëve vjen si një mjet për të bindur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të zvogëlojë ofensivën në Gazë.

Gjithashtu, SHBA shpreson se ky veprim do të ndikonte që Izraeli të ndërmarrë veprime si hapja e korridoreve humanitare, gjë që do të ulte numrin e viktimave, raporton skynews.

Bëhet e ditur se Pentagoni po e shqyrton këtë mundësi, por ende nuk është marrë asnjë vendim.

Ndryshe, që nga fillimi i luftës Uashingtoni ka furnizuar izraelitët me raketa, municione dhe sisteme të ndryshme për mbrojtje ajrore.

Së fundmi, negociatorët amerikanë po punojnë drejt një marrëveshjeje të mundshme sipas së cilës Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake kundër Hamasit për dy muaj.