Sot zhvillohet takimi në Bruksel për dinarin, Kosova përfaqësohet nga zyrtarë të BQK-së   

27.02.2024

Sot do të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë, i thirrur nga ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak në Bruksel. Festa i është bërë palëve nga Lajçaku për të diskutuar mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Sot zhvillohet takimi në Bruksel për dinarin, Kosova përfaqësohet nga zyrtarë të BQK-së    Foto: Ilustrim

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në këtë takim duke deklaruar se “çështja e dinarit s’është pjesë e dialogut”.

Kosovën këtë herë e përfaqëson Banka Qendrore e Kosovës, e cila dje ka konfirmuar për T7 se do të marrin pjesë në takim kur diçka e tillë është e nevojshme.

Nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar kanë thënë se BQK edhe kohë më parë është shprehur e gatshme që të takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë dhe se njëjtë i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Për takimin e paraparë për të martën, në Qeveri nuk e kanë bërë të qartë se kush saktësisht do ta përfaqësojë Kosovën. Ndërkaq në Serbi kanë deklaruar se shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori Petar Petkoviq, do ta përfaqësojë Serbinë.

Në takim, Kosova do të përfaqësohet nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.  RTK ka marr vesh brenda BQK-së se Ismaili i është përgjigjur pozitivisht ftesës së dërguar nga Bashkimi Evropian dhe ka udhëtuar për në kryeqytetin evropian.

“Ajo që mund të them është se do të ketë një takim nesër. Mbledhja e nesërme e dialogut do të fokusohet në zgjidhjet e shumë pyetjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për operimin me para të gatshme nga Banka Qendrore e Kosovës. Do të fillojë në mëngjes dhe do ta ndjekë formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe të dyja palët, me sa di unë, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, tha Nabila Massrali, zëdhënëse e BE.

Para pak ditësh zv.kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi e ka akuzuar ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, se ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë në fillim duke thirrur takim pa koordinim me palët. Në këtë mënyrë ai e ka refuzuar ftesën e 27 shkurtit.

Deklaratën e Bislimit, zëdhënësi i BE-së e ka quajtur të papranueshme.

Që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja re e BQK-së për paratë e gatshme – ku thuhet se mjet i vetëm i pagesës në Kosovë është valuta euro.

Që nga ajo datë nuk është lejuar futja e dinarit në Kosovë. Në pikën kufitare në Jarinjë, në disa raste janë kthyer prapa furgonët e mbushur me këtë valutë të Serbisë.

Shteti i Serbisë ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën sociale.

Beogradi e ka kritikuar ashpër Rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

Me gjithë deklarimet dhe përplasjet me zyrtarët e Bashkimin Evropian për çështjen e dinarit, Kosova do të marrë pjesë në takimin e thirrur për këtë çështje.