Lansohet platforma ‘KosovaDiplo365’, Kurti çmon qytetarët diplomatë

08.04.2024

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka çmuar vullnetin dhe përkushtimin e personaliteteve të ndryshme, të cilët me veprimtarinë e tyre kanë shërbyer si diplomatë të Kosovës.

Lansohet platforma ‘KosovaDiplo365’, Kurti çmon qytetarët diplomatë Foto: Ilustrim

 Ai këtë e ka thënë në lansimin e platformës “KosovaDiplo365”, nismë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Jo më kot thuhet që Kosova kishte ambasadë para se të kishte shtet, kjo ishte mërgata jonë ndër vite”, tha Kurti.

Teksa foli për platformën si mundësi për dokumentim të të arriturave të personaliteteve në mënyrë digjitale, Kurti ka përmendur një varg emrash që përfaqësojnë diplomacinë kosovare.

“E vërteta është se shoqëria jonë ka në rritje një grup të qytetarëve diplomatë, të cilët kanë marrë përsipër pavetëdijshëm përgjegjësinë e përfaqësimit të shtetit tonë në botë. Shembujt si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova që sollën medaljet e arta olimpike”, ka thënë ai.

Donjeta Sadiku në garat e matematikës, juristët e UP-së të cilën u ranguan në vendin e tretë në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë, regjisoret Blerta Basholli, Antoneta Kastrati, Norika Sefa dhe Luana Bajrami, artistët Rita Ora, Ava Max, Dua Lipa, Sislej Xhafa qenë disa nga emrat që Kurti i përmendi si referencë.

Kurse Liza Gashi, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka thënë se kjo platformë do të shërbejë si frymëzim për diplomatët e ardhshëm.

“Ne ofrojmë një shtëpi të re për të gjithë qytetarët diplomatë që duan të angazhohen, që ka qenë kontribut i dy gjeneratave të programit dhe me rreth 35 diplomatë që kanë kontribuar në platformë”, ka thënë Gashi.