Arrestohet një grua e dyshuar për mashtrim, dyshohet se shiti pronën e xhaxhait me dokumente të falsifikuara
Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetase të huaj, e dyshuar për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, pasi dyshohet se kishte tentuar disa herë të shiste pronat e xhaxhait të saj duke përdorur dokumente të falsifikuara.
E dyshuara, sipas policisë, dyshohet se kishte siguruar një autorizim të falsifikuar te një noter jashtë Kosovës, duke paraqitur një person të panjohur me të dhënat e xhaxhait të saj dhe fotografinë e personit tjetër, kinse ai e kishte autorizuar për shitjen e pronave të tij në Kosovë.
Policia bën të ditur se e dyshuara kishte provuar disa herë t’i shiste parcelat e regjistruara në emër të xhaxhait të saj dhe në dy raste dyshohet se kishte arritur t’i shiste ato.
Në rastin e fundit, sipas njoftimit, ajo kishte arritur të shiste një parcelë në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh.
Pas intervistimit të së dyshuarës, në prani të avokatit mbrojtës, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e saj për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
