Tre policë të dyshuar për ngacmim seksual, reagon ministri Sveçla

3 orë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas hetimit dhe suspendimit të tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale të ngacmimit seksual dhe kontrollimit të paligjshëm, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Përmes një postimi publik, Sveçla ka mirëpritur angazhimin e përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Policisë së Kosovës për trajtimin e këtij rasti.

Ai ka theksuar se nuk do të lejohet që veprimet e individëve të caktuar të dëmtojnë imazhin e institucionit policor dhe të pjesëtarëve të tij që shërbejnë me profesionalizëm.

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ministri ka shtuar se misioni i Policisë së Kosovës është shërbimi ndaj qytetarëve, ndërsa çdo keqpërdorim i pozitës zyrtare për përfitime të çfarëdo natyre duhet të dënohet pa kompromis.

Sipas tij, besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës mbështetet në profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi, ndërsa Inspektorati Policor mbetet mekanizëm thelbësor për garantimin e llogaridhënies dhe trajtimin serioz të çdo shkeljeje.