Universiteti i Prishtinës sqaron renditjen e THE: Nuk kemi rënë për 500 pozita, performanca është përmirësuar
Universiteti i Prishtinës (UP) ka reaguar pas publikimit të renditjes botërore të universiteteve nga Times Higher Education (THE) për vitin 2027, duke sqaruar se kalimi nga grupi 1501+ në atë 2001+ nuk nënkupton rënie prej 500 pozitash, siç është interpretuar në disa raste.
Sipas UP-së, ndryshimi lidhet me metodën e re të grupimit të universiteteve nga THE. Derisa në vitin 2026 kategoria 1501+ përfshinte të gjitha institucionet pas pozitës 1500, në renditjen e vitit 2027 kjo kategori është ndarë në katër grupe: 1501–1600, 1601–1800, 1801–2000 dhe 2001+.
Universiteti thekson se të dhënat tregojnë përmirësim të performancës gjatë viteve të fundit. Pikët e përgjithshme të përllogaritura nga pesë treguesit e THE janë rritur nga 14.3 në vitin 2024 në 20.2 në vitin 2027.
Përmirësimi më i theksuar është regjistruar në cilësinë e kërkimit shkencor, ku pikët janë dyfishuar, ndërsa progres është shënuar edhe në mjedisin kërkimor.
Sipas krahasimit rajonal të paraqitur nga UP-ja, ndër shtatë universitetet e analizuara, Universiteti i Prishtinës ka shënuar rritjen më të madhe të pikëve gjatë periudhës 2024–2027, me gjithsej 5.9 pikë më shumë.
UP-ja pranon se vazhdon të përballet me sfida, por thekson se debati publik për renditjen e universiteteve duhet të mbështetet në të dhëna të sakta dhe interpretim të drejtë të tyre.
