Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen e dyfishtë në Gjilan
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave pas vrasjes së dyfishtë në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku humbën jetën një grua dhe një burrë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Përmes një reagimi, Haxhiu ka thënë se lajmi për këtë ngjarje e ka tronditur, duke shprehur dhimbjen për humbjen e dy jetëve dhe për vuajtjet me të cilat po përballen familjet e viktimave.
Ajo u ka shprehur familjeve ngushëllimet më të sinqerta, ndërsa personit të plagosur i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
Haxhiu ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të zhvillojnë hetime të plota, të paanshme dhe profesionale, me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të rastit dhe vënies së përgjegjësve para drejtësisë.
Ajo gjithashtu ka theksuar rëndësinë e mbështetjes për familjet e prekura, duke kërkuar që gjatë kësaj periudhe të rëndë të respektohen privatësia dhe dinjiteti i tyre.
