Çitaku: Mbrëmë, me dy vendime, Kuvendi nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin

07.10.2026

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimeve të marra mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, për miratimin e Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës.

Çitaku ka thënë se me këto dy vendime, Kuvendi i Kosovës “nderoi UÇK-në, vetveten dhe shtetin”.

Ajo ka përshëndetur gjithashtu zgjedhjen e Shiroka Pulës në pozitën e presidentes, duke e cilësuar atë si “një zonjë të dashur e të nderuar”, me të cilën, siç ka shkruar, e lidhin shumë vite bashkëpunimi dhe miqësie.

Sipas Çitakut, në këto zhvillime fitoi edhe zëri i qytetarëve, i cili, sipas saj, “u bë obligim për institucionet”.

“UÇK-ja na bashkoi sërish. Le të na mbajë të bashkuar rreth historisë së lavdishme të vendit tonë, deri në drejtësi dhe liri për çlirimtarët”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se angazhimi duhet të vazhdojë edhe në mbështetje të betejës për drejtësi në apel.

Në fund, Çitaku ia ka dedikuar këtë zhvillim Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Një mesazh për ta: Kosova është pranë jush”, ka shkruar ajo, duke e përmbyllur reagimin me urimin: “Urime, Kosovë! Me UÇK-në në zemër!”.