Shala: “Hendeku” mes tyre ishte vetëm retorikë, për poste u gjetën në gjysmë të natës

07.10.2026

Kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Dr. Ardian Shala, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar marrëveshjen politike të arritur për zgjedhjen e presidentes.

Shala ka thënë se ajo që ishte paraqitur si “hendek” mes palëve, sipas tij, ishte vetëm retorikë, ndërsa për interesa dhe poste politike, marrëveshja u arrit brenda natës.

“Pas asaj që pamë mbrëmë në Parlament, është e qartë se ‘hendeku’ mes tyre paska qenë vetëm retorikë. Për poste u gjetën në gjysmë të natës, ndërsa parimet i harruan sapo u shfaq interesi politik”, ka shkruar Shala.

Ai ka përdorur edhe shprehjen “E lëshuan bajrakun”, duke kritikuar zhvillimet politike dhe duke thënë se LDK-së “ia morën marrëveshjen nga duart”.

Sipas Shalës, bashkë me marrëveshjen, palët tashmë kanë marrë edhe përgjegjësinë për veprimet e tyre politike.

“Kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se parimet, qytetarët e kuptojnë shumë shpejt kush për çfarë po lufton”, ka shkruar ai.