LDK: Nuk shantazhohemi, vendosja e emrave tanë përkrah Listës Serbe është linçim politik

05.10.2026

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas kritikave ndaj deputetëve të saj lidhur me qëndrimin e partisë për çështjen e Gjykatës Speciale.

Në reagim, LDK-ja e ka cilësuar vendosjen e emrave të deputetëve të saj në një rresht me deputetët e Listës Serbe si “përpjekje të ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”.

“LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, qëndrimi i saj buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës dhe nga nevoja që çështjet e ndjeshme të trajtohen me seriozitet juridik dhe në koordinim me aleatët.

Partia ka theksuar gjithashtu se nuk heq dorë nga identiteti i saj politik dhe historik, duke përmendur orientimin perëndimor të Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe veprimtarët e vrarë të LDK-së.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi”, thuhet më tej.

Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje partive politike dhe liderëve të tyre që të ndalin, siç thotë, gjuhën e linçimit dhe ta trajtojnë çështjen me maturi e përgjegjësi.