Itali: Tre persona arrestohen për trafik kokaine, njëri prej tyre shqiptar
Tre persona janë arrestuar nga policia italiane nën dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike, në një aksion të zhvilluar në zonën e Palombara Sabina, pranë Romës. Në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas shqiptar.
Sipas hetimeve, shqiptari dyshohet se kishte udhëtuar nga Parma drejt Palombara Sabina për të realizuar një marrëveshje që lidhej me shitblerjen e kokainës.
Gjatë operacionit, autoritetet zbuluan një laborator të improvizuar ku përpunohej dhe paketohej kokaina, ndërsa sekuestruan edhe një automjet të pajisur me ndarje të fshehtë, e cila dyshohet se përdorej për transportimin e rreth një kilogrami kokainë.
Policia ndërhyri në një zonë rurale, ku të dyshuarit u gjetën brenda një banese. Të tre personat u arrestuan dhe ndaj tyre rëndojnë dyshimet për përfshirje në trafikimin e lëndëve narkotike.
