Kryeprokurori Gashi shpalos prioritetet për 100 ditët e para të mandatit
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka mbajtur takimin e parë me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, ku ka prezantuar prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit të tij.
Ndër prioritetet e prezantuara janë hetimi financiar krahas ndjekjes penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave, luftimi i armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, mbrojtja e pronës së qytetarëve, trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtja e viktimave.
Gashi ka theksuar gjithashtu nevojën për forcimin e sigurisë ekonomike dhe juridike, mbrojtjen e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale, si dhe ndjekje më rigoroze ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik.
Në takim është diskutuar edhe krijimi i mekanizmave të rinj mbikëqyrës në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me synim ngritjen e cilësisë së punës dhe analizimin e rasteve të kthyera nga gjykatat, aktgjykimeve liruese dhe dështimeve procedurale.
Kryeprokurori Gashi ka kërkuar nga prokuroritë e shkallës së parë që të hartojnë plane fillestare për trajtimin e këtyre çështjeve.
Ndërkohë, kryeprokurorët kanë raportuar për gjendjen me lëndët e vjetra, efikasitetin në trajtimin e rasteve, çështjet me interes të lartë publik dhe sfidat me të cilat përballen.
Në përmbyllje, Gashi ka garantuar mbështetje të plotë institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me prokurorët në të gjithë vendin, me qëllim luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
