Me votat e AAK–PDK u miratua rritja në 7.5€ për mbeturina, sot qytetarët marrin faturat e reja
Vendimi i Kuvendit Komunal për rritjen e tarifës së menaxhimit të mbeturinave në 7.5 euro, i miratuar para rreth 35 ditësh me votat e AAK–PDK, ka hyrë sot në zbatim me shpërndarjen e faturave të reja nga kompania “Eko Regjioni”.
Rritja e tarifës është arsyetuar nga autoritetet komunale dhe kompania përgjegjëse me nevojën për mbulimin e shpenzimeve operative, përmirësimin e shërbimeve dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të sistemit të menaxhimit të mbeturinave. Sipas tyre, tarifat e mëparshme nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar kostot reale të shërbimit.
Vendimi i miratuar në seancën e asaj kohe ka ndarë asamblenë komunale. Rritja është mbështetur nga shumica AAK–PDK, ndërsa kundër kanë votuar asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Në mesin e zërave kundërshtues ka qenë edhe asambleistja e AAK-së, Besa Kuqi, e cila ka votuar kundër rregullores, duke e cilësuar rritjen si të padrejtë dhe të papërballueshme për qytetarët. Opozita në atë kohë kishte paralajmëruar se rritja e shpejtë e tarifës nga 4.5 euro në 6.5 euro dhe më pas në 7.5 euro brenda një periudhe të shkurtër do të rëndonte standardin jetësor të familjeve.
Sot, me hyrjen në fuqi të vendimit, qytetarët kanë filluar të pranojnë faturat me çmimin e ri dhe kanë reaguar menjëherë në redaksinë tonë.
Një banor ka shprehur shqetësimin e tij:
“Pershendetje! Sot Eko Regjioni ka shprenda faturën me tarifë të re prej 7.5 euro që është vërtet teje e lartë. Prandaj nëse keni mundësi ta ngrini këtë shqetësim me autoritetet përkatëse. Faleminderit paraprakisht.”
Me shpërndarjen e faturave dhe reagimet e para të qytetarëve, çështja e tarifës së mbeturinave pritet të mbetet temë e debatit publik në Suharekë.
