Nisin hetimet për farën e grurit nga Serbia, paralajmërohen masa anti-dumping
Qeveria e Kosovës ka nisur hetimet për importin dhe shitjen e farës së grurit nga Serbia, pas dyshimeve se ajo po tregtohet me çmime që dëmtojnë prodhuesit dhe bizneset vendore.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se është nënshkruar vendimi për fillimin e hetimeve, pasi është vërejtur se fara e grurit nga Serbia po shitet në Kosovë me çmime të njëjta ose edhe më të ulëta se në tregun serb, pa reflektuar kostot e transportit dhe eksportit.
Sipas saj, pas përfundimit të hetimeve do të ndërmerren masa anti-dumping ndaj Serbisë, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe krijimin e kushteve të drejta të konkurrencës në treg.Kusari-Lila bëri të ditur gjithashtu se në Qeveri është proceduar edhe vendimi për vendosjen e kuotave sasiore për importin e aluminit dhe produkteve të tij nga Serbia.
Sipas propozimit, importet do të kufizohen në 30 për qind të vëllimit total të këtyre produkteve, ndërsa sasia që tejkalon kuotën e lejuar do t’i nënshtrohet një tarife doganore prej 50 për qind.
Autoritetet theksojnë se këto masa synojnë mbrojtjen e industrisë vendore dhe parandalimin e praktikave të padrejta tregtare në raport me produktet e importuara nga Serbia.
