Rritet çmimi i kurbanit në Kosovë: Sivjet arrin në 200 euro

06.05.2026

Çmimi për therjen e kurbanit në Kosovë ka shënuar rritje këtë vit, duke arritur në 200 euro, nga 180 euro sa ishte në vitin 2025. Njoftimi është bërë në kuadër të fushatës “Kurbani 2026”, të publikuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

Sipas BIK-ut, mjetet e grumbulluara do të përdoren për të ndihmuar familjet në nevojë, me moton “Bëhu pjesë e sakrificës! Mirësia jote, shpresë për ta”.

Pagesat mund të kryhen në këshillat e Bashkësisë Islame nëpër komuna apo përmes llogarive bankare.Edhe organizata “Islamic Relief Kosova” ka bërë të ditur se çmimi për një kurban, përfshirë një hise në lopë, është 200 euro.

Ata theksojnë se therja bëhet sipas standardeve higjienike dhe dispozitave fetare, ndërsa mishi u shpërndahet jetimëve dhe familjeve në kushte të vështira.

Rritja e çmimit lidhet me ngritjen e kostove në tregun e bagëtive dhe produkteve ushqimore. Therja e kurbanit konsiderohet një praktikë e rëndësishme në Islam, me theks të veçantë në solidaritetin dhe ndihmën ndaj shtresave në nevojë.