Kërkohet paraburgim njëmujor për katër nga të arrestuarit në rastin e Byrosë Kosovare të Sigurimit
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim njëmujor për katër nga 39 të arrestuarit nën dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit. Masa e paraburgimit është kërkuar për ish-drejtorin Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave Valon Berisha, si dhe për dy të dyshuarit me inicialet F.S. dhe Y.Ç.
Foto: Ilustrim
Për 35 të dyshuarit e tjerë është kërkuar masa e paraqitjes së rregullt në stacion policor dhe ndalimi i afrimit ndaj personave apo vendeve të caktuara.
Sipas Prokurorisë, Mazreku dhe Berisha dyshohen se gjatë periudhës korrik 2022 – tetor 2023 kanë realizuar qindra transaksione të dyshimta, të paraqitura si pagesa për dëme, duke i shkaktuar BKS-së një dëm mbi 1 milion euro. Vlerat e transaksioneve dyshohet se silleshin nga 6,800 deri në 68 mijë euro.
Prokuroria ka theksuar se veprat penale për të cilat ngarkohen të dyshuarit janë të rënda dhe parashikojnë dënime të larta, çka rrit rrezikun e arratisjes. Ata dyshohen për keqpërdorim të besimit, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, ndërsa Berisha edhe për falsifikim dokumentesh.
Seanca dëgjimore për të gjithë të dyshuarit ka përfunduar rreth orës 22:30, pas ndërprerjeve të përkohshme për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Berishës.
