Ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

30.12.2025

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 30.12.2025 ka realizuar ekstradimin e një shtetasi shqiptar nga Republika e Shqipërisë për në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare, pasi që kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Ai dyshohet për veprat penale “Kultivim i narkotikëve” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, për të cilat i njëjti dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë.

“Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ku i dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.