Djegia e një veture në Lipjan, arrestohet 23 vjeçari H.K. – i dyshuari i katërt
Policia e rajonit të Prishtinës, përkatësisht hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme (NjHP), kanë arrestuar një person lidhur me rastin e zjarrvënies që ndodhi më 17 shtator 2025 në Lipjan, ku një veturë ishte përfshirë nga zjarri.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe operative, hetuesit arritën të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin H.K., 23 vjeç, mashkull, shtetas i Kosovës, për të cilin dyshohet se ka qenë i përfshirë në rast.
Sipas policisë, i arrestuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, në bazë të aktvendimit të nxjerrë nga prokurori i shtetit, ndërkohë që hetimet për këtë rast vazhdojnë në fazat e mëtejshme të procesit hetimor.
Policia bën të ditur se për këtë rast janë arrestuar më parë edhe tre persona të tjerë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.