FBI ndihmoi Kosovën në zbardhjen e sulmit terrorist ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” – analiza e dheut në çizmet e të dyshuarve ishte prova kyçe

09.12.2025

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka luajtur një rol vendimtar në hetimet e Kosovës për kapjen dhe ngritjen e aktakuzës ndaj tre personave të dyshuar për sulmin me bombë në kanalin “Ibër-Lepenc”, që ndodhi më 29 nëntor 2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ekspertiza gjeologjike e FBI-së mbi mostrat e dheut të gjetura në çizmet e të pandehurve – vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq – ka konfirmuar lidhjen e tyre direkte me vendin e ngjarjes në Zubin Potok.

Dokumenti thekson se FBI, së bashku me ekspertët e Policisë së Kosovës, më 30 nëntor 2024 kishte marrë mostra referente dheu nga tri lokacione: vendi i shpërthimit në fshatin Varagë, zona e kanalit “Ibër-Lepenc” dhe shtëpitë e të pandehurve në Prevllak.

Aktakuza citon në mënyrë eksplicite raportin e FBI-së:
Mostrat e dheut të gjetura në çizmet e Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq “nuk kanë dallueshmëri në strukturë, ngjyrë dhe përbërje krahasuar me dheun e marrë në vendin e ngjarjes”, duke dëshmuar se të pandehurit kanë qenë fizikisht në vendin ku u krye sulmi.

Ky zbulim shkencor mbështeti akuzën se të dyshuarit kanë marrë pjesë në vendosjen e eksplozivit që dëmtoi një nga kanalet më të rëndësishme ujore dhe energjetike në veri të vendit.

Nga dokumentet e Prokurorisë Speciale del gjithashtu se organizatori kryesor i sulmit dyshohet të ketë qenë një kolonel serb, i rekrutuar nga shërbimi sekret i Serbisë, duke e thelluar dimensionin e sigurisë dhe ndërhyrjeve të jashtme në veri të Kosovës.