Skandal në Itali: Tre të rinj nga Kosova akuzohen për përdhunimin në grup të një turiste – prokuroria kërkon 30 vite burg

17.09.2025

Një rast tronditës ka dalë para gjykatës në Itali, ku tre punëtorë sezonalë nga Kosova, të moshës 21, 26 dhe 27 vjeç, akuzohen për përdhunim të rëndë dhe rrëmbim ndaj një turisteje në Val Gardena.

Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur natën mes 17 dhe 18 janarit të vitit 2023 dhe është bërë objekt i një procesi gjyqësor që ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave italiane, raporton urgjent.com.

Prokurorja Francesca Sassani, gjatë seancës së së enjtes më 12 shtator, kërkoi një dënim me dhjetë vite burg për secilin prej të akuzuarve, duke e çuar totalin në 30 vite heqje lirie. Sipas saj, faktet dhe provat e mbledhura gjatë hetimit tregojnë qartë për dhunë të përsëritur seksuale ndaj viktimës.

Paditësja, turistja e huaj që ka raportuar rastin, përfaqësohet nga avokati Vittorio Papa, i cili ka paraqitur një kërkesë për ëmshpërblim prej 350,000 eurosh kundër tre të pandehurve. Avokati Papa deklaroi se viktima ka dhënë dëshmi të detajuara dhe konsistente me atë që ka raportuar që në fillim të hetimit, duke përshkruar ngjarjen si një eksperiencë tepër traumatike.

Procesi po zhvillohet me procedurë të shkurtuar. Sipas prokurorisë, ngjarja ndodhi pasi viktima u takua me tre të akuzuarit në një klub nate në Val Gardena. Ajo kishte pranuar të kalonte pjesën tjetër të mbrëmjes me ta, duke besuar se bëhej fjalë për një dalje të zakonshme për pije ose ushqim.

Megjithatë, sipas akuzës, situata përfundoi ndryshe. Tre burrat e dyshuar dyshohet ta kenë abuzuar seksualisht në disa faza: dy herë brenda një makine dhe një herë në një dhomë shërbimi të hotelit ku punonte njëri prej tyre. Prokuroria ka bërë të ditur se një pjesë e akteve është dokumentuar edhe me video të realizuara përmes telefonave celularë të të akuzuarve.

Gjatë gjyqit, edhe pse dëshmia e saj ishte dëgjuar më herët në fazën paraprake, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Stefan Tappeiner vendosi që ajo të dëgjohej përsëri përmes lidhjes video. Viktima përshkroi me detaje momentet e sulmit dhe theksoi se nuk kishte dhënë asnjë pëlqim për marrëdhënie seksuale.

Avokati i saj, Vittorio Papa, tha se deklaratat ishin të dhimbshme dhe të forta: “Ajo konfirmoi se nuk kishte pranuar asnjë akt seksual dhe se ishte futur në një gjendje shoku, e cila e paralizoi atë, duke mos e lejuar të reagonte apo të kërkonte ndihmë.” Kjo gjendje, e njohur si “tanatozë”, është një fenomen psikologjik i pranuar edhe nga jurisprudenca në raste të ngjashme, ku viktimat e dhunës seksuale nuk arrijnë të veprojnë apo të rezistojnë.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të tre të akuzuarve kanë këmbëngulur se gruaja kishte dhënë pëlqimin dhe se marrëdhëniet seksuale nuk kanë qenë të detyruara. Ata do të paraqesin argumentet e tyre në seancën e radhës, e cila është caktuar për të premten e ardhshme.

Procesi gjyqësor pritet të marrë vëmendje të madhe në javët në vijim, ndërsa drejtësia italiane do të vendosë për fatin e tre të rinjve kosovarë që po përballen me akuza tepër të rënda.