Deputeti Zyba ngre dyshime për rolin e Simiq në rastin “Banjska”, mirëpret ftesë nga Prokuroria Speciale për dëshmi

02.09.2025

Pjesëtarë të Listës Serbe vazhdimisht janë akuzuar për afërsinë e tyre me Millan Radojiçiq dhe grupet kriminale në veri të vendit, sidomos pas sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në këtë kontekst, figura e deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka qenë shpesh në qendër të kritikave nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Deputeti Salih Zyba ka qenë një nga zërat më të fuqishëm kundër emërimit të Simiq si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në disa paraqitje televizive, Zyba ka deklaruar se ka dyshime të forta se Simiq mund të ketë qenë i përfshirë në sulmin terrorist i njohur si “Rasti Banjska”. Ai ka shprehur publikisht gatishmërinë që të ftohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për të ofruar çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet lidhur me këtë çështje.

Sipas Zybës, pranimi i Simiq në poste kyçe të Kuvendit përbën jo vetëm problem politik, por edhe çështje sigurie për institucionet e vendit.

Një nga shqetësimet e ngritura nga Zyba lidhet me faktin se Slavko Simiq ka qenë edhe nënkryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ky komision ka përgjegjësi të rëndësishme që lidhen me sigurinë kombëtare, përfshirë:

  • Mbikëqyrjen e ligjshmërisë së punës së AKI-së;
  • Shqyrtimin dhe miratimin e buxhetit të agjencisë;
  • Analizimin e raporteve të Kryeministrit dhe Drejtorit të AKI-së për operacionet, shpenzimet dhe veprimet korrigjuese;
  • Shqyrtimin e raporteve të inspektorit të përgjithshëm;
  • Dhënien e mendimit për propozimin buxhetor të detajuar për AKI-në;
  • Hetimin e informatave lidhur me punën e agjencisë në përputhje me ligjin për AKI.

Për Zybën, fakti që një deputet i Listës Serbe, parti e cila shpesh është lidhur me struktura kriminale dhe me ndikim të drejtpërdrejtë nga Beogradi, ka mbajtur një rol kaq të rëndësishëm në mbikëqyrjen e agjencisë më të rëndësishme të sigurisë në vend, përbën alarm serioz.

20 shkurt 2020

Lidhur me çështjen e ngritur nga deputeti Zyba, SuharekaOnline më 18.08.2025 në formë zyrtare ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Edhe pas afatit shtatë ditor nga e njëjta nuk kemi marr përgjigje për çka kemi deponuar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.