Ballkani përballet sonte me Shamrock Rovers në “Fadil Vokrri”
Pas eliminimit të skuadrës malteze Floriana me rezultat të përgjithshëm 5-3, Ballkani do të luajë sonte një ndeshje të rëndësishme në kuadër të garave evropiane, duke u përballur me Shamrock Rovers – klubin më të suksesshëm të futbollit në Irlandë. Takimi zhvillohet nga ora 20:30 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për këtë përballje, UEFA ka caktuar një ekip gjyqtarësh nga Ukraina. Ndeshjen do ta drejtojë gjyqtari kryesor Dmytro Panchyshyn, me ndihmësit Oleksii Myronov dhe Volodymyr Vysotskyi. Gjyqtar i katërt do të jetë Klym Zabroda, ndërsa në sistemin VAR do të jenë Mykola Balakin dhe Denys Shurman. Të gjithë këta zyrtarë kanë përvojë në ndeshje ndërkombëtare dhe pritet të sigurojnë një drejtim të drejtë dhe profesional të sfidës.
Skuadra e Ballkanit është në përgatitje të plotë për këtë duel të rëndësishëm. Klubi nga Suhareka ka për qëllim të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, për t’i lehtësuar vetes rrugën drejt kualifikimit në takimin e kthimit që do të zhvillohet në Irlandë.
Mbështetja e tifozëve në “Fadil Vokrri” pritet të jetë e madhe, teksa kampioni i Kosovës në fuqi kërkon të vazhdojë me sukses rrugëtimin e tij në arenën ndërkombëtare.