Kurti: Investime jetike për infrastrukturën tonë kritike, kanali i Ibër Lepencit po bëhet më i qëndrueshëm
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të shtunën se projekti për rehabilitimin e kanalit Ibër Lepenc është drejt përfundimit, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si një investim jetik për infrastrukturën kritike të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti shpërndau fotografi nga terreni si dhe një status të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke theksuar rëndësinë e punimeve që po kryhen në këtë kanal të rëndësishëm.
“Kanali i Ibër Lepencit po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurt,” shkroi Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për energjinë dhe bujqësinë në vend.
Ndërkaq, ministrja Rizvanolli, e cila foli për ecurinë e projektit dy ditë më parë, theksoi se ky është një projekt me vlerë prej 13 milionë eurosh, i cili është realizuar tashmë në masën 90% dhe pritet të përfundojë gjatë muajve në vijim.
Sipas saj, pas një kontrate të trashëguar që kishte vetëm 10% zbatim për vite të tëra, projekti është rishpallur dhe rifilluar me përkrahjen e Bankës Botërore dhe Qeverisë së Kosovës, dhe po zbatohet me ritëm të lartë në dy vitet e fundit.
Kanali i gjatë 49 kilometra, konsiderohet me rëndësi strategjike për furnizimin me energji, ujë të pijshëm dhe ujitje për bujqësi. Nga 20 kilometra të pjesës së hapur të kanalit, 10 kilometra më të dëmtuarat janë në proces rehabilitimi, bëri të ditur Rizvanolli.