Meta paralajmëron epokën e re të superinteligjencës artificiale – Zuckerberg: “Do ta vendosim në duart e të gjithëve”
Teknologjia po shkon drejt një faze të re dhe kompania Meta është në qendër të këtij zhvillimi. Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka njoftuar një projekt ambicioz që synon të sjellë superinteligjencën artificiale personale më afër njerëzve, duke e bërë pjesë të pandashme të përditshmërisë së tyre.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Zuckerberg është shprehur optimist për të ardhmen, duke theksuar se kjo teknologji ka potencialin të përshpejtojë ndjeshëm ritmin e përparimit njerëzor dhe të hapë një epokë të re të fuqizimit personal.
“Superinteligjenca personale do të ndihmojë njerëzit të arrijnë qëllimet më të rëndësishme në jetën e tyre. Do t’i kuptojë, do t’i njohë dhe do t’i ndihmojë – në mënyrë që ata të përmirësojnë botën sipas vlerave të tyre”, tha CEO i Meta.
Sipas Zuckerberg, qëllimi i kompanisë është ta demokratizojë këtë teknologji, duke e bërë të qasshme për të gjithë, jo vetëm për specialistët apo industrinë. “Kjo fuqi duhet të jetë në duart e njerëzve,” theksoi ai, duke aluduar se Meta po punon për t’i ofruar mjetet e avancuara çdo individi, për përdorim personal dhe praktik.
Një nga format konkrete të kësaj teknologjie duket se do të jetë përmes syzeve inteligjente. Meta tashmë ka lansuar disa modele të tilla, por është duke zhvilluar një version më të avancuar të pajisjeve me ekrane të integruara, të quajtur “Orion”.
Ky prototip përfaqëson vizionin afatgjatë të kompanisë për ndërveprim të pandërprerë midis përdoruesit dhe inteligjencës artificiale – një asistent që të “sheh”, të kupton dhe vepron në përputhje me qëllimet e tua, në kohë reale.
Me këtë hap të ri, Meta po sinjalizon qartë se AI personale është hapi i radhës, jo vetëm në evolucionin teknologjik, por edhe në transformimin e jetës së përditshme. Mbetet për t’u parë kur dhe si do të vihet në përdorim në masë kjo superinteligjencë, por ambiciet janë të mëdha – dhe rruga është hapur.