Shtyhet për 2 shtator seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend – Haxhiu e quan procesin të padrejtë
Seanca gjyqësore për rastin e njohur të hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për datën 2 shtator 2025, për shkak të mungesës së dy të akuzuarve, ish-deputetëve Pal Lekaj dhe Donika Kadaj.
Foto: Ilustrim
Kjo e fundit ka arritur me vonesë në sallën gjyqësore, ndërsa në fillim ishte e pranishme vetëm ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu është njëra nga të akuzuarat në këtë rast.
Rasti ka të bëjë me ngjarjet e ndodhura vite më parë, kur deputetët e opozitës së atëhershme hodhën gaz lotsjellës në Kuvend në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe formimit të “Zajednicës”.
Pas shtyrjes së seancës, Haxhiu e quajti procesin gjyqësor “të padrejtë”, duke theksuar se veprimet e tyre kanë qenë politike dhe të motivuara nga interesat e qytetarëve.
“Bëhen pothuajse ndoshta 10 vite prej kur ne përballemi me një proces të padrejtë, por ja që rregullat e kërkojnë që ne jemi këtu. Unë isha e pranishme, por në anën tjetër seanca u shty më 2 shtator. Është komplet e pakuptimtë edhe kjo zvarritje. Po ashtu, ne akuzohemi për ‘mbajtje në pronësi’, thuajse çfarë krimi kemi bërë – ato kanë qenë veprime politike”, tha Haxhiu para gazetarëve.
E pyetur nëse, në rast se emërohet kryetare e Kuvendit, do të toleronte veprime të tilla nga opozita, Haxhiu tha se kundërshtimi i marrëveshjeve të dëmshme është i domosdoshëm, përfshirë edhe përdorimin e gazit lotsjellës në rrethana të caktuara.
“Unë nuk besoj asnjëherë që me qeverinë tonë, me kryeministrin Albin Kurti, do të ketë marrëveshje të dëmshme për vendin, prandaj edhe besoj që opozita s’do të ketë nevojë për masa e veprime të tilla”, përfundoi Haxhiu.
Procesi gjyqësor ndaj tre ish-deputetëve pritet të vazhdojë në shtator, në pritje të një përmbylljeje pas një dekade zhvillimesh dhe polemikash politike e gjyqësore.