Muftiu Tërnava nga Xhamia e Madhe: Kurban Bajrami simbol i sakrificës, bashkimit dhe humanizmit
Besimtarët myslimanë në Kosovë, ashtu si në të gjithë botën, kremtuan sot festën e Kurban Bajramit, një festë që simbolizon sakrificën ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës u mbajt në Xhaminë “Sulltan Fatih” (Xhamia e Madhe) në Prishtinë.
Në këtë tubim solemn, muftiu Naim Tërnava mbajti ligjëratën kryesore para besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e thellë të kësaj feste. Ai vuri theksin tek sakrifica, bashkimi dhe vlerat familjare, si shtylla kryesore të Kurban Bajramit.
“Sot jemi mbledhur për të falur Kurban Bajramin, jo vetëm për t’u mbledhur në këtë ditë, aty ku sakrifica bashkohet dhe jetohet. Nuk ka gjë më të bukur kur shpirti gjen qetësinë. Kurban Bajrami na mëson që kërkon sakrificë për ta ruajtur atdheun, për ta ruajtur familjen dhe shoqërinë,” tha Muftiu Tërnava në fjalën e tij.
Ai bëri gjithashtu një thirrje të fuqishme për dashuri, drejtësi dhe bashkëpunim në shoqëri, duke theksuar se këto janë vlera thelbësore që duhet të mbizotërojnë në frymën e Kurban Bajramit dhe në jetën e përditshme.
Festa e Kurban Bajramit është një kohë për reflektim, lutje dhe ndarje me të tjerët, duke sjellë më pranë besimtarët në një frymë solidariteti dhe paqeje.