FIBA ndëshkon rëndë Golden Eagle Yllin?

15.05.2025

Golden Eagle Ylli, nënkampioni aktual i Kosovës në basketboll, është goditur me një sërë sanksionesh të rënda nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA), sipas raportimeve të AsistiOnline.com.

FIBA ndëshkon rëndë Golden Eagle Yllin?

FIBA ka vendosur katër ndalesa zyrtare ndaj klubit nga Theranda, të cilat janë aktivizuar që më 24 mars 2025. Këto masa disiplinore vijnë si pasojë e padive të ngritura nga katër basketbollistë të huaj, të cilët iu drejtuan Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT) për shkak të pagesave të prapambetura nga klubi.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, FIBA ka urdhëruar ndalesa që e pengojnë Golden Eagle Yllin të regjistrojë lojtarë të rinj, vendas apo të huaj, derisa klubi të shlyejë plotësisht borxhet ndaj lojtarëve.

Ky vendim përbën një goditje të fortë për klubin therandas, i cili në vitet e fundit ka qenë një forcë dominuese në Superligën e Kosovës, duke luftuar vazhdimisht për tituj dhe duke përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sanksionet e vendosura nga FIBA konsiderohen si një nga rastet më të rënda të ndëshkimit në basketbollin kosovar në dekadën e fundit, duke ngritur shqetësime serioze rreth menaxhimit financiar të klubeve dhe pasojave të mosrespektimit të kontratave me lojtarët.

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga drejtuesit e Golden Eagle Yllit lidhur me këtë situatë. Mbetet për t’u parë nëse klubi do të arrijë një marrëveshje me lojtarët e paditur për të zhbllokuar ndalesat dhe për t’i hapur rrugën transferimeve për sezonin e ri.

Etiketat

Ofertat e fundit