Grisja e Kuranit në Prizren, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj I.P., të dyshuarit që grisi Kuranin në Prizren më 3 mars.
Foto: Ilustrim
Vendimi u mor pas akuzave për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit midis grupeve fetare.
Sipas zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi, provat e siguruara nga Policia dhe Prokuroria Speciale tregojnë se incidenti ndodhi rreth orës 12:10 pranë teqesë Halveti në Prizren. I.P. dyshohet se ka marrë Kuranin, librin e shenjtë të myslimanëve, dhe e ka grisur atë, duke shpërndarë copëzat në rrugë.
“Copëzat e librit të shpërndara në rrugë u vërejtën nga qytetarët, të cilët njoftuan Policinë. Kjo ngjarje shkaktoi zemërim të madh te komuniteti islam dhe rrezikoi harmoninë ndërfetare, duke kërcënuar qetësinë publike,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
I.P. u arrestua më 4 mars me vendim të Prokurorisë Speciale dhe akuzohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” sipas nenit 141 të Kodit Penal.