Vazhdohet paraburgimi për dy të dyshuarit për sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc

01.03.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të vazhdojë masën e paraburgimit për dy muaj ndaj Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc më 29 nëntor të vitit të kaluar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi. Ajo deklaroi: “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin.”

Sulmi ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës, duke dëmtuar rëndë kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar këtë sulm si terrorist, duke akuzuar Serbinë dhe strukturat kriminale për përfshirje.

Ky akt u dënua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së infrastrukturës kritike dhe stabilitetit në rajon.