Itali, plantacion kanabisi në një hotel të braktisur, arrestohen tre shqiptarë dhe një ukrainas

19.02.2025

Një operacion i përbashkët i skuadrës lëvizëse të Alessandria dhe Milano ka çuar në arrestimin e tre shtetasve shqiptarë dhe një shtetasi ukrainas, të cilët u kapën në një hotel të braktisur në provincë, të shndërruar në një plantacion të sofistikuar kanabisi.

Operacioni, i cili filloi mbrëmjen e 10 shkurtit, u bë publik sot me një njoftim për mediat. Autoritetet, pas hyrjes në ndërtesë, u përballën me një serë të vërtetë të pajisur me teknologji të përparuar për kultivimin dhe përpunimin intensiv të kanabisit.

Brenda saj u gjetën rreth 1300 vazo me bimë marihuanë në faza të ndryshme rritjeje, duke treguar një prodhim të vazhdueshëm dhe të organizuar.

Përveç bimëve narkotike, në hotel u gjetën pajisje të ndryshme si ventilatorë, llamba, tharëse dhe transformatorë, të gjitha të lidhura në mënyrë të paligjshme me rrjetin elektrik. Kjo bëri që të arrestuarit të akuzohen gjithashtu për vjedhje të energjisë elektrike.

Ky operacion i suksesshëm i policisë italiane ka goditur një tjetër rrjet të paligjshëm të kultivimit të marihuanës, duke treguar angazhimin e autoriteteve në luftën kundër drogës.