Polici jashtë detyrës zbulon tentativë vjedhje në Itali, kap dy shqiptarë me 1.5 kg kokainë
Një operacion i shpejtë dhe efektiv i forcave të rendit Italiane ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë, të dyshuar për tentativë vjedhje dhe trafikim droge.
Ngjarja ka ndodhur në pasditen e 12 dhjetorit në qytetin e Monzës.
Protagonist i këtij arresti ka qenë një karabinier jashtë detyrës, i cili duke kaluar rastësisht pranë një apartamenti, ka vërejtur një situatë të dyshimtë. Njëri nga të dyshuarit ishte ngjitur në gardhin e ndërtesës, ndërsa tjetri ruante zonën, duke ngjallur dyshime të forta për një tentativë vjedhje.
Karabinieri, me profesionalizëm dhe shpejtësi, ka njoftuar menjëherë numrin e emergjencës 112. Në vendngjarje janë mbërritur shpejt dy patrulla të karabinierëve dhe një makinë skuadre e Policisë së Shtetit.
Të dy të dyshuarit, 18 vjeç dhe banues në Bolonjë, janë ndaluar dhe kontrolluar. Gjatë kontrollit, forcat e rendit kanë gjetur brenda dy thasëve celofan një sasi prej rreth 1.5 kilogramësh kokainë të pastër.
Droga është sekuestruar dhe është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Të dy të arrestuarit janë akuzuar për tentativë vjedhje dhe trafikim droge dhe janë vendosur në arrest. Gjithashtu, është vendosur ndalimi i qëndrimit të tyre në rajonin e Lombardisë.