Kosova merr pjesë për herë të parë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit

18.12.2024

Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, duke prezantuar veten përmes iniciativës “Kosova House”. Qeveria e Kosovës ka ndarë 350 mijë euro për të mbuluar organizimin e kësaj pjesëmarrjeje historike.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë. Ai theksoi rëndësinë e këtij forumi si një mundësi unike për promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit me ‘Kosova House’ për herë të parë është një hap i rëndësishëm. Republika e Kosovës do të jetë pjesë e këtij forumi prestigjioz botëror, dhe për këtë arsye kemi parashikuar ndarjen e 350 mijë eurove në programin për promovimin e vendit, në kuadër të zyrës së kryeministrit,” deklaroi kryeministri Kurti.

Forumi Ekonomik Botëror, i njohur si Davos Forum, është një ngjarje prestigjioze që mbledh liderë globalë, përfaqësues të korporatave ndërkombëtare, ekspertë ekonomikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar çështje të rëndësishme globale. Përmes “Kosova House”, Kosova synon të prezantojë mundësitë ekonomike, potencialin e saj kulturor dhe pozitën strategjike si një shtet i ri në arenën ndërkombëtare.

Takimi Vjetor 2025 i Forumit Ekonomik Botëror mbahet nga 20-24 janar në Davos, Zvicër. Takimi mblidhet nën titullin Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente, i aksesueshëm për publikun e gjerë me sesione të transmetuara drejtpërdrejt.