Solid Suharekë, një shembull i suksesit të prodhimit vendor, eksportuesi më i madh i këpucëve nga Kosova
Në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar 2024, një delegacion i biznesmenëve kosovarë dhe të diasporës, i udhëhequr nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, vizitoi fabrikën e këpucëve Solid në Suharekë.
Kjo fabrikë, e njohur për cilësinë e prodhimeve të saj dhe për kontributin në ekonominë e vendit, është një shembull i shkëlqyer i potencialit të prodhimit kosovar.
Gjatë vizitës, Agim Shahini vlerësoi lartë punën e bërë nga fabrika Solid. “Jemi krenarë që kemi një prodhues vendor si Solid, i cili ofron një gamë të gjerë produktesh cilësore për tregun vendas dhe ndërkombëtar,” tha Shahini. Ai theksoi se rreth 80% e prodhimit të fabrikës eksportohet në Bashkimin Evropian dhe se ka një potencial të madh për të zgjeruar tregjet e eksportimit.
Ahmet Kuçi, pronari i fabrikës Solid, shprehu gatishmërinë për të zgjeruar prodhimin dhe për të fituar tregje të reja.
“Fabrika jonë ka kapacitet për të furnizuar një treg shumë më të madh dhe kemi një ekip të motivuar dhe të kualifikuar,” tha Kuçi.
Ai theksoi se fabrikat e këpucëve në Kosovë kanë një avantazh konkurrues falë kostove të ulëta të punës dhe një force pune të kualifikuar.