“Ekonomia po varfërohet çdo ditë, Qeveria s’ka strategji për tejkalimin e krizës”
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka folur për zhvillimet e fundit ekonomike në vend, me ç‘rast ka thënë se ekonomia e Kosovës është duke u varfëruar çdo ditë. Kjo sipas tij, vjen si pasojë e një sërë faktorësh e krizash me të cilat është duke u ballafaquar Kosova. “Kosova është e […]
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini ka folur për zhvillimet e fundit ekonomike në vend, me ç‘rast ka thënë se ekonomia e Kosovës është duke u varfëruar çdo ditë.
Kjo sipas tij, vjen si pasojë e një sërë faktorësh e krizash me të cilat është duke u ballafaquar Kosova.
“Kosova është e rrezikuar nga tri kriza, ajo e pandemisë që është ende prezentë, kriza globale, e cila e ka përfshirë Kosovën sepse ne varemi 90% nga importet e sepse lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar turbulenca në tregjet globale, si dhe kriza e brendshme e Kosovës, në aspektin ekonomik dhe politik”.
“Ekonomia jonë po varfërohet për çdo ditë, qoftë nga inflacioni, qoftë nga devalvimi i euros, qoftë nga mungesa e prodhimeve të Kosovës. Kosova ka më së paku fabrika në Ballkanin Perëndimor”, tha ai për EkonomiaOnline.
Shahini, si problem tjetër ekonomik ka përmendur edhe mungesën e punëtorëve të profileve të caktuara që kërkohen në tregun e punës.
“Në disa raste, kompanitë nuk kanë punëtorë të profileve të caktuara. Kurrikulat universitare nuk janë gjithmonë të harmonizuara me nevojat e tregut të punës dhe ky është një nga problemet e vazhdueshme”.
“Ne si Aleancë Kosovare i kemi rekomanduar shumë herë Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve arsimore për harmonizim të kërkesave të nevojave të tregut të punës me profesione të caktuara”.
Tutje, Shahini ka kritikuar Qeverinë për mungesën e një strategjie që zhvillon prodhimtarinë vendore, duke thënë se kriza më e thellë pritet gjatë muajve në vijim, përkundër rritjes së të hyrave, që sipas tij janë rritur për shkak të rritjes së çmimeve.
“Qeveria e Kosovës nuk strategji si të zhvillohet prodhimtaria vendore. Gjatë këtij viti, Qeveria nuk ka qenë asnjëherë prezentë në hapjen e fabrikave të reja e kjo është shenjë e krizës”.
“Kriza më e thellë do të jetë në muajt në vijim, pavarësisht se të hyra në buxhetin e shtetit kemi më shumë, jo për shkak të rritjes së ekonomisë por për shkak të rritjes së çmimeve”.