Suhareka përkujton dëshmorët me veprën e veçantë “ATA QË HYNË NË PËRJETËSINË E KRENARISË”

26.11.2024

Në një atmosferë të ngrohtë dhe solemne, në ambientet e bibliotekës “Hajdin Berisha” në Suharekë, u përurua monografia “Ata që hynë në përjetësinë e krenarisë”, një vepër e autorit Sherife Berisha-Thaçi kushtuar të gjithë dëshmorëve të kombit.

Ky botim i veçantë, i cili përfaqëson një monument të kujtesës kolektive dhe kombëtare, paraqet një përmbledhje të hollësishme të jetës dhe veprës së atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Në fjalët e redaktorit të librit, Prend Buzhala, kjo monografi është një dëshmi e përhershme e kontributit të të gjithë atyre që ranë për idealet e lirisë.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në fjalën e tij, bëri thirrje për t’i nderuar dhe kujtuar gjithmonë dëshmorët dhe familjarët e tyre. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës së së kaluarës si një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Ish-epëroi i UÇK-së, Sadik Halitjaha, duke folur në këtë ceremoni, theksoi se kjo monografi është një dëshmi e sakrificës së të gjithë atyre që nuk kursyen jetën për realizimin e ëndrrës së një Kosove të lirë dhe të pavarur.

Autorja e librit, Sherife Berisha-Thaçi, emocionuar nga pritja e publikut, shprehu mirënjohjen e saj për mundësinë për të sjellë në vëmendje figurat e shumta të dëshmorëve të kombit. Ajo theksoi se libri është një përpjekje për të mbajtur gjallë kujtimin e tyre dhe për t’u dhënë meritat e duhura.

Një pjesë e veçantë e kësaj ceremonie ishte edhe programi artistik i nxënësve të shkollës “Shkëndija”, të cilët me interpretime të tyre të bukura muzikore dhe poetike, i dhanë një atmosferë të veçantë këtij eventi.