“Ushqimi për ushtarët”, Kuvendi i Kosovës nesër me seancë të jashtëzakonshme

13.10.2024

Të hënën në orën 12:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Seanca është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se do të propozohet një rezolutë e thjeshtë që obligon Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të zgjidhin urgjentisht çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë.

“Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidh këtë çështje,” ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka shtuar se drafti i rezolutës mund të plotësohet nga deputetët gjatë seancës, duke lënë hapësirë për diskutim dhe përmirësime të mundshme.