Shkupi uron Ballkanin për kualifikimin dhe e falënderon për mikpritjen e ngrohtë

26.08.2022

Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka shkruar faqe të re në futbollin kosovar. Skuadra portokallezi ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin në këtë nivel të garave evropiane. Ballkani, të enjten në mbrëmje, në stadiumin e stërmbushur “Fadil […]

Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka shkruar faqe të re në futbollin kosovar.

Skuadra portokallezi ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin në këtë nivel të garave evropiane. Ballkani, të enjten në mbrëmje, në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë e ka mposhtur kampionin e Maqedonisë së Veriut, klubin shqiptar, FC Shkupi, me rezultat 1:0.

Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja është kualifikuar tutje me rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve, 3:1.

Këtë sukses suharekasit e arritën qysh në debutimin e tyre në garat evropiane.

Ndeshja e parë mes Shkupit dhe Ballkanit u zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, kësisoj klubi suharekas e kishte falënderuar Shkupin për mikpritjen e ngrohtë, kështu në të njëjtën mënyrë ia kthyen edhe kampionët shqiptarë.

FC Shkupi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka uruar klubin e Ballkanit për kualifikimin, po ashtu ka falënderuar edhe tifozët për pritjen e ngrohtë në Prishtinë.

“Faleminderit FC Ballkani. Faleminderit klubit FC Ballkani si dhe tifozëve të tyre për pritjen e ngrohtë. Urime për suksesin historik”, ka shkruar FC Shkupi.

Tani Ballkanin e presin të paktën gjashtë ndeshje në fazën e grupeve, derisa kundërshtarët do t’i mësojë sot (e premte) kur bëhet tërheqja e shortit.