Partitë angazhojnë kompani reklamash për fushatë

14.09.2019

AAK-PSD, PDK angazhojnë kompani marketingu për fushatë, VV punon me vullnetarë, LDK-ja nuk pranon të flasë Po i bën xhirimet për videon me të cilën do të prezantojë veten në kandidaturën për deputet në zgjedhjet nacionale. Valdrin Kryeziu nga Vetëvendosje po e realizon këtë video përmes organizimit individual.  Ai ka angazhuar një mik të përkujdeset […]

Foto: Ilustrim

AAK-PSD, PDK angazhojnë kompani marketingu për fushatë, VV punon me vullnetarë, LDK-ja nuk pranon të flasë

Po i bën xhirimet për videon me të cilën do të prezantojë veten në kandidaturën për deputet në zgjedhjet nacionale.

Valdrin Kryeziu nga Vetëvendosje po e realizon këtë video përmes organizimit individual.  Ai ka angazhuar një mik të përkujdeset për pjesën teknike të kësaj paraqitje.

Ndërkohë në partinë përmes së cilës garon Kryeziu, thonë se e gjitha fushata e marketingut do mbulohet nga vetë aktivistët e partisë e vullnetarët, raporton T7.

E një subjekt politik i cili ka vendos që fushatën të ia besojë një kompanie është koalicioni AAK-PSD.

Kompania Karrota në bashkëpunim me Zero Pozitive do ia kryejnë fushatën koalicionit.

Fisnik Ismaili nga Karrota, njëherësh kandidat për deputet nga PSD, thotë se punën për fushatë e bën pa pagesë tash e sa vite.

Ndërkohë në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se punojnë me kompani lokale për mbulimin e fushatës, derisa tregojnë se në të kaluarën kanë angazhuar edhe këshilltar ndërkombëtar.

E në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk e kanë parë të arsyeshme të tregojnë për kompaninë me të cilën do realizojnë fushatën.

Ndërkohë koalicioni NISMA Socialdemokrate me Aleancën Kosova e Re ende nuk ka menduar për këtë aspekt.

Mirëpo, realizimi i një fushate zgjedhore kushton goxha. Këtë e ka treguar për T7 eksperti i marketingut, Bujan Stavileci.

Sipas Ligjit për Zgjedhje të përgjithshme subjektet politike për realizimin e fushatës duhet të kenë mjete material dhe përkrahje nga buxheti i shtetit, anëtarësia, kontributet dhe të ardhurat nga aktivitetet e përcaktuara me ligj.

E një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës thotë se asnjë subjekt politik nuk ka të drejtë ta tejkaloj kufizimin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore që caktohet nga rregulla e KQZ-së votues.

Në zgjedhjet e fundit kufizimi apo maksimumi që një subjekt politik mund të shpenzonte gjatë fushatës zgjedhore ishte rreth një milion euro.

Kurse partitë nuk preferojnë t’i shpërfaqin shpenzimet e tyre.

Raporti i BE-së për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës në Kosovë thekson mungesën e transparencës në financat e subjekteve politike.