Klubi i Tenisit Peja shpallet kampione e Kosovës
Klubi i Tenisit Peja ka kurorëzuar një sezon të suksesshëm duke u shpallur kampion i Kosovës në konkurrencën ekipore. Në një finale emocionuese, tenistët pejan triumfuan ndaj ekipit të Prizrenit me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Në finalen e zhvilluar mes dy ekipeve rivale, pikën e parë për Pejën e siguroi Skënder Katana, i cili shfaqi lojë të shkëlqyer dhe mposhti Arbin Koro në një meç të kontrolluar nga fillimi deri në fund.
Drama e finales u intensifikua në ndeshjen e dytë, ku tenisti i Prizrenit, Stefan Micov, pas një përballjeje të ashpër, arriti të triumfojë ndaj Mal Agushit, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Gjithçka u vendos në meçin çift ku Peja shfaqi forcën e saj ekipore. Dyshja Skënder Katana dhe Mal Agushi u treguan më të fortë se kombinimi prizrenas Stefan Micov dhe Zulji, duke vulosur fitoren për ekipin e Pejës dhe duke siguruar titullin kampion.
Në gjysmëfinale, ata mposhtën lehtësisht ekipin prishtinas DielliX pa hasur në vështirësi, ndërsa Prizreni pati një ndeshje më të ngushtë, duke eliminuar Prishtinën me rezultat 2-1.