Bashkimi përballet sonte me Anwil në kualifikimet e FIBA Europe Cup
Sonte në mbrëmje, skuadra e Bashkimit nga Prizreni do të zbresë në parket përballë ekipit polak Anwil Wloclawek, në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup.
Kjo është hera e parë që “Portokallezinjtë” garojnë në këtë kompeticion evropian dhe presin përkrahjen maksimale nga tifozët e tyre në palestrën “Sezai Surroi”, ku atmosfera pritet të jetë e zjarrtë.
Përballë Bashkimit do të jetë një kundërshtar me peshë. Anwil është fitues i FIBA Europe Cup në vitin 2023, ndërsa në edicionin e fundit arriti deri në raundin e 1/16.
Ndeshja e parë zhvillohet sonte në Prizren nga ora 19:00, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 1 tetor në Poloni.
Skuadra që do të jetë më e mirë nga këto dy përballje do të sigurojë një vend në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.