Platforma e-Kosova nën auditim nga ZKA-ja
Sigurisë dhe efikasiteti i e-Kosovës nën auditim nga ZKA-ja
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Platforma e shërbimeve online e-Kosova”, si pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025.
Foto: Ilustrim
Ky auditim synon të vlerësojë nëse platforma e-Kosova ofron shërbime elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme për qytetarët.
Fushëveprimi i auditimit përfshin Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit (AShI), e cila administron dhe menaxhon platformën e-Kosova, si dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me departamentet për Tatimin në Pronë dhe Menaxhimin e Skemave Sociale, të cilat ofrojnë shërbime përkatëse përmes platformës.
e-Kosova, si një prej sistemeve më të rëndësishme digjitale shtetërore, ka për qëllim modernizimin e administratës publike, duke zvogëluar varësinë nga sportelet fizike dhe duke rritur transparencën e institucioneve. Pavarësisht progresit të bërë në digjitalizimin e shërbimeve, siguria e informacionit dhe integriteti i të dhënave mbeten thelbësore për besimin e qytetarëve në platformën e-Kosova.
Auditimi do të vlerësojë kontrollet e aplikacionit dhe masat e sigurisë së informacionit për të përcaktuar nëse platforma ofron mbrojtje adekuate dhe garanton funksionalitet të sigurt.