Suhareka e vendosur për kthimin e nxënësve në shkolla

Javën e kaluar gjatë takimit me SBASHK-un është dakorduar që edhe në Komunën e Suharekës të fillojë procesi mësimor.

Kështu kishte bërë të ditur në një prononcim për SuharekaOnline, drejtori i DKA-së në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani.

Komuna e Suharekës i qëndron mbrapa idesë që nxënësit duhet të kthehen në shkolla. Kjo është bërë e ditur edhe sot gjatë mbledhjes së radhës të këshillit të drejtorëve ku nga drejtoria e arsimit u tha se nxënësit do t’i kthejmë nëpër shkolla, por me kujdes të shtuar, për mbrojtje nga COVID-19.

E në anën tjetër IKSHPK në mënyrë ilustrative dhe disa mbishkrime, tregon se si do të nis më 1 shtator mësimi dhe rregullat që duhet ndjekur si nxënësit ashtu edhe personeli.

Çdo nxënës thuhet se duhet të ketë maskë dhe ta mbajë gjatë gjithë kohës së qëndrimit në shkollë.

Maska duhet të sigurohet nga vet nxënësi, por DKA/shkollat duhet të sigurojnë një fond rezervë për furnizimin me maska.

Prindërit duhet t’i informojnë fëmijët e tyre rreth bartjes së maskave dhe higjienës.

Personi që ka simptoma duhet të qëndrojë në shtëpi, pa marrë parasysh nëse është nxënës apo nga personeli i shkollës. Duhet të respektohet edhe distanca prej 1.5 metra.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.