Si ndodhi që Reshtani u shpall vatër e përhapjes së infeksionit?

Mbrëmjen e së dielës në bazë të një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë katër fshatra të Suharekës ishin shpalluar vatra të përhapjes së infeksionit.

Çuditërisht në mesin e këtyre fshatrave ndodhej edhe fshati Reshtan, i cili nuk ka asnjë banor të konfirmuar me covid-19.

Siç duket e gjitha kishte filluar kur Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Prizren kishte marrur mostra nga disa qytetarë të cilët jetojnë në rrugën Skënderbeu dhe gjatë marrjes së mostrave janë prezentuar që jetojnë në rrugën e Reshtanit.

Madje edhe në publikimin e rezultateve të datës 18 prill nga IKSHPK-ja në mesin e 11 rasteve pozitive ishin publikuar edhe 2 raste nga Reshtani.

Sipas të parit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj e gjithë kjo kishte ndodhur si një keqkuptim dhe se po i njëjti menjëherë pas reagimit të tij është kontaktuar nga instituti dhe i është kërkuar falje dhe është ndryshuar vendimi.

Një reagim tejet i madh është vërejtuar edhe nga banorët e fshatit Reshtan të cilët përmes rrjeteve sociale kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me “huqjen” e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë se Komuna e Suharekës renditet e 5-ta me 33 qytetar të prekur me covid-19, në mesin e të cilëve është një i shëruar dhe një i vdekur. Në bazë të kësaj Komuna e Suharekës është e shpallur zonë në karantinë dhe pesë fshatra si vatra të përhapjes së infeksionit.

RAPORTO